Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është treguar i ashpër me Edi Ramën. Referuar draftit të këtij të fundit për krijimin e Asociacionit, Kurti tha se nuk ka dyshime që për Ramën është i mirë, e për rrjedhojë me nota ironike tha se të njëjtën gjë mund t’ja propozojë Aleksander Vuçiç për shqiptarët në Serbi.
“Në Ohër kam ofruar që ta shkruaj draft statutin, nuk kam interes t’i dominoj, se jam kryeministër i të gjithëve, kam kërkuar që të ketë një dakordësi për parimet bazë, se nuk mund të ballafaqojmë tekste kur nuk kemi dakordësi për parimet dhe frymën, nuk kam dyshim që Rama beson që propozimi i tij është i mirë, dhe duke qenë kështu, krejt çfarë unë propozoj është që Rama këtë draft t’ia prezantojë Vuçiçit në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur për shqiptarët në Medvegjë, Bujanoc, Preshevë. Aq më tepër që neni 8, pika 1 thotë që republika shqiptare mbron të drejtat e minoriteve jashtë territorit të Shqipërisë, në vend që t’i propozohet për serbët në veri, t’ia propozojë për shqiptarët në Medvegjë, Bujanoc, Preshevë”, tha Kurti.
Ai tha se nuk e ka parë draftin, por mesa duket as nuk ka interes për një gjë të tillë.
“Unë i besoj Ramës që beson se ai model është i mirë për pakicat kombëtare. Duke u bazuar në kushtetutën e Shqipërisë, neni 8 pika 1, por edhe në kontekstin politik, vetëm po tregoj ku është adresa dhe cila do të jetë kërkesa për këtë model. Unë nuk e di atë draf statut, por i besoj kryeministrit Rama që ai beson se është i mirë dhe i duhur. Jemi në kontakt të vazhdueshëm, pasi nëse kemi taksimin e dy qeverive ku na presin marrëveshje të reja”, tha Kurti.
Deri tani nuk ka një përgjigje nga kryeministri Edi Rama.