Festa e tripletës së titujve ka qenë e madhe në pjesën “e kaltër” të qytetit të Manchester. Mijëra tifozë përshëndeten heronjtë e tyre në këtë sezon fantastik, ku arritën që të ngrinin lart trofetë e Premier League, FA Cup dhe Champions League. Parada me trofe e lojtarëve të Manchester Cityt ishte e jashtëzakonshme, ku nën brohorimat e tifozëve autobusi i hapur shëtiste në rrugët e qytetit. Atmosferë elektrizuese, me skuadrën e Manchester Cityt që për herë të parë arriti të fitonte tripletën e titujve, kurorëzuar me trofeun e Ligës së Kampionëve.
Por duket se festa nuk do të zgjasë shumë për disa prej lojtarëve. Rreth 7 futbollistë të City-t janë gati për t’u larguar nga skuadra, duke përgatitur valixhet. Gati për të nisur një aventurë të re janë mbrojtësit Laporte, Gomez dhe Cancelo, që do të rikthehet te Bayern Munich pas huazimit në Angli. Po ashtu, largime të rëndësishme ka edhe në repartin e mesit të fushës, ku spikasin emra si Bernardo Silva dhe Ilkay Gundogan, hero në triumfin në FA Cup.
Realizimi i objektivave ka konfirmuar në stol Pep Guardiolën. Spanjolli ishte vënë në dyshim për vazhdimësinë në “Etihad Stadium” në rast se dështonte për të triumfuar në Europë, por tashmë gjasat janë që ai të qëndrojë. Madje, sipas mediave britanike, Guardiola do të respektojë deri në fund kontratën me Cityn, pra do të qëndrojë në tokën angleze deri në verën e vitit 2025. Sezoni i ardhshëm do të jetë i teti për 52-vjeçarin në pankinën e Citizens, teksa ka fituar 12 trofe në krye të kësaj skuadre, mes të cilave 5 tituj të Premier League dhe Ligën e Kampionëve.