Uruguai U-20 shpallet për herë të parë kampion i botës. Amerikano-latinët mundën Italinë me rezultatin 1-0 në finale në ‘La Plata’ të Argjentinës.
Përfaqësuesja uruguaiane e gjuajti në total 15 herë portën kundërshtare, kurse italianët vetëm tre herë. Në shumicën e saj, ekipet bënë një lojë të mbyllur, duke u kujdesur për të mos pësuar gol.
Rezultati nuk ndryshoi deri në minutën e 86 të lojës, kur mesfushori Luciano Rodriguez realizoi golin e fitores. Në vazhdim, loja u shty me 13 minuta dhe italianët tentuan barazimin, por kundërshtarët menaxhuan rezultatin dhe në fund festuan në stadiumin “Diego Armando Maradona:”.
Përfaqësuesja italiane U-20 arriti në këtë botëror rezultatin më të mirë të saj në histori, vendin e dytë. Në vend të tretë doli kombëtarja e Izraelit që mposhti në finalen e vogël Korenë e Jugut me rezultatin 3-1.