Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 25 të tjerë janë plagosur pasi një autobus që transportonte disa dasmorë humbi kontrollin dhe doli nga rruga në Australi. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 23:30 të dielën rreth 180 kilometra në veriperëndim të Sidneit.
Sipas mediave vendase, aksidenti ndodhi në rajonin Hunter, i njohur për vreshtat dhe për lokacionet ku organizohen dasmat. Policia ka arrestuar shoferin 58-vjeçar i cili dyshohet të jetë shkaktari kryesor i aksidentit.
Edhe pse mjegulla e dendur ishte e pranishme në zonë në atë kohë, shkaku i saktë i aksidentit rrugor, i cili është më i rëndi në Australi në gati tri dekada, nuk është përcaktuar ende.