Sot në Mal të Zi mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të gjashtat që nga rivendosja e pavarësisë së vendit me referendum në vitin 2006. Në zgjedhje marrin pjesë 15 parti dhe koalicione, ndërsa të drejtë vote kanë 542.468 qytetarë.
E para në fletën e votimit është Partia Boshnjake. E dyta është Iniciativa Qytetare Kroate. Shqiptarët e Malit të Zi në këto zgjedhje përfaqësohen me dy koalicione: “Aleanca shqiptare” dhe “Forumi Shqiptar”.
Aleanca Shqiptare 3 është e gjashta në fletën e votimit. Pjesë e këtij koalicioni janë Forca, Aleanca Demokratike, Aleanca Demokratike e Malit të Zi dhe grupi civil Pokret za Tuzi, dhe kryetar i Forcës është Genci Nimanbegu.
Ndërsa aleanca e Forumit Shqiptar, në përbërje të të cilit janë Alternativa Shqiptare, Aleanca Demokratike e Shqiptarëve dhe Bashkimi Kombëtar i Shqiptarëve është në vendin e 15-të. Ajo udhëhiqet nga kreu i AA-së dhe kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.
Ajo që ra në sy ishte fushata e qetë, pa tensione politike, pa tubime të mëdha në ambiente të hapura, pa pllakata dhe bilborde. Zgjedhjet e fundit u mbajtën në vitin 2020 kur pas shumë vitesh Partia Demokratike e Socialistëve kaloi në opozitë. Zgjedhjet u shpallën nga ish-presidenti Millo Gjukanoviç, i cili pas më shumë se tri dekadash në postin e presidentit dhe të kryeministrit, u mund bindshëm nga rivali Jakov Millatoviç që u përkrah edhe nga partitë e tjera qeveritare. Vendi ka një qeveri teknike, e cila prej muajsh të tërë udhëhiqet nga kryeministri në detyrë Dritan Abazoviç.