Finalja e Ligës së Konferencës West Ham-Fiorentina është kulmi i karrierës së David Moyes. Trajneri i ekipit anglez e pohoi këtë në konferencë për shtyp përpara sfidës që do të luhet në Pragë.
Londinezët kërkojnë që t’i japin fund pritjes 43-vjeçare për një trofe europian. West Ham nuk ka arritur në një finale evropiane që nga Kupa e Kupave e vitit 1976. Klubi londinaz ka shansin që të fitojë një trofe që nga viti 1980, kur ngriti Fa Cup.
“Ky është momenti më i madh i karrierës sime. Që të jem trajner futbolli për aq kohë sa kam qenë, do të thotë se po e bëj diçka siç duhet. Është një arritje e madhe që të jesh në një finale europiane. Nuk është e lehtë të arrish deri në fund dhe ne kemi qenë konkurrues. Është një arritje e madhe për të gjithë lojtarët dhe tani të shikojmë nëse do të mund ta fitojmë atë’’, u shpreh trajneri i West Ham, David Moyes.
Ndërsa trajneri i Fiorentinës, Vincenzo Italiano u shpreh se do të bëjë gjithçka që ti sjellë lavdi futbollit italian.
‘Mendimi im i parë është ky: kemi bërë një udhëtim të jashtëzakonshëm, të vështirë ku ne jemi bërë më të fortë nga ndeshja në ndeshje. Dhe ndaj West Ham-it ne kemi shansin që ta ngremë këtë trofe. Kështu që ne ndihemi mjaft krenarë’, tha trajneri i Fiorentinës, Vincenzo Italiano.
Italiani tha se fakti që në kompeticionet europiane mbërritën në finale tre ekipe të Serie A tregon se futbolli italian është në rritje.