Stuttgart do të vazhdojë që të luajë në Bundesligë sezonin e ardhshëm. Skuadra e Sebastian Hoeness mundi në play-off Hamburgun, që dështoi në këtë fazë për herë të dytë radhazi. Stuttgart mundi Hamburgun me rezultatin 3-1, duke siguruar qëndrimin në Bundesligë edhe për një tjetër sezon.
Ekipi i drejtuar nga Sebastian Hoeness kishte fituar sfidën e parë në shtëpi me rezultatin 3-0.
Stuttgart përfitoi nga gabimet në prapavijë nga Hamburgu dhe Enzo Millot i ndëshkoi dy herë. Francezi realizoi në minutën e 48-të të lojës. Mesfushori 20 vjeçar realizoi edhe në të 64-tën minutë.
Fitoren e vulosi kongolezi Silas Mvumpa në kohën shtesë, duke shuar ëndrrën e Hamburgut për të luajtur në elitën e futbollit gjerman.
Pas një sezoni të trazuar që i pa ata të përfundojnë në vendin e 16-të në Bundesligë dhe të shkarkojnë tre trajnerë përpara se Sebastian Hoeness të merrte drejtimin e ekipit, Stuttgart tani ka mundësinë që të rinisë punën e të bëhet gati për sezonin e ri nën drejtimin e drejtorit të ri sportiv Fabian Vohlge-muth.
Ndërsa Hamburgu do të luajë sërish në Bundesliga dy, ku do të përpiqet që të sigurojë ngritjen.
Gjashtë herë kampionët e Gjermanisë dhe fituesit e Ligës së Kampioneve në vitin 1983 do të duhet që të kalojnë sezonin e gjashtë në kategorinë e dytë gjermane, pasi dështuan në fazën play-off për vitin e dytë radhazi.