Kryeministri Edi Rama zgjodhi që për arrestimin e zyrtarëve, t’u drejtohet me një mesazh vetëm socialistëve dhe jo shqiptarëve në tërësi. Këtë e bëri në turin e falenderimeve në Fier, ku tha se asgjë nuk duhet të ndikojë në dashurinë për Partinë Socialiste.
Kjo sepse sipas tij, puna që ka bërë qeveria për Shqipërinë është shumë herë më e madhe.
“E pamundur që juve t’ua kthesh atë që ju jepni për PS, në hatër të njërit apo tjetrit që marrin një karrige dhe duken sikur zgjaten, edhe nëse në ndonjë derë ju del dikush që i ka dhënë një karrige dhe ju shikon nga lart poshtë, mos lejoni që këto t’i thyejnë zemrën për atë që keni bërë, se ajo që keni bërë, nëse nuk ka bërë diçka për ju personalisht, ka bërë shumëçka për Shqipërinë, thonë që nuk ka rëndësi, por ka rëndësi se po të mos ishte vota juaj dhe Fieri nuk do ishte sot ky është që sot, po do ishte më keq se ai që ishte dje. E di që është më e lehtë, ta thuash se ta bësh, por mos lejoni që një dru i shtrembër, që ndeshni rrugës dhe që dalin mes nesh t’jua cenojë krenarinë legjitime për Partinë Socialiste”, u shpreh Rama.
Sot u la në burg, Joana Duro, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë pasi mori 330 mijë lekë ryshfet për një tender.