Me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, në datën 7 qershor, Presidenti i Republikës së Estonisë, Alar Karis do nisë një vizitë dy ditore në vendin tonë. Kjo është vizita e parë e një Presidenti të Estonisë në Shqipëri dhe një ngjarje e shënuar në marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve.
Referuar axhendës që bën me dije Presidenca, në qendër të bisedimeve mes dy krerëve të shteteve do të jenë nevoja e nxitjes së mëtejshme të marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në çështjet e bashkëpunimit ekonomik dhe qeverisjes elektronike, por edhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, integrimi evropian i Shqipërisë dhe i vendeve të këtij rajoni, si dhe ndikimi i agresionit ushtarak rus në Ukrainë, për Estoninë dhe rajonin e vendeve Balltike por edhe të Ballkanit Perëndimor.
Në përmbyllje të takimeve, dy homologët do të kenë dhe një dalje të përbashkët për mediat. Më 9 qershor, të dy Presidentët do të ndjekin një stërvitje të përbashkët kibernetike të ekspertëve nga Estonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Në kuadër të kësaj vizite, Presidenti i Estonisë do të takohet edhe me autoritetet e tjera të larta shqiptare, si dhe do të vizitojë edhe qytetin e Beratit.