Ndonëse Tirana nuk mori asnjë trofe këtë sezon, Orges Shehi do të vijojë të drejtojë klubin bardheblu. Lajmi është bërë me dije nga vetë klubi, i cili ka bërë me dije se puna e tij ka qenë me profesionalizëm e për rrjedhojë do të vijojë bashkëpunimi.
“Klubi i Futbollit Tirana njofton arritjen e marrëveshjes me trajnerin Orges Shehi. Pas bisedimeve mes palëve, klubi dhe tekniku vendosën të vazhdojnë bashkëpunimin mes tyre. Presidenca dhe drejtori teknik i skuadrës Tefik Osmani shprehin falenderimet për profesionalizmin dhe punën e madhe që trajneri i dy vjeçarit të fundit ka bërë me ekipin si edhe kënaqësinë të vijojnë të kenë Orges Shehin në krye të pankinës KF Tirana. Të bindur se ky do të jetë hapi i parë i sigurtë drejt projektimit të një skuadre solide dhe kampione. I urojmë suksese trajnerit në vazhdimësinë e punës së tij nën stemën bardheblu”, lexohet në komunikatën e klubit kryeqytetas.
Tirana nuk arriti që të fitonte as Kupën e Shqipërisë dhe as të merrte trofeun e Superligës, ndonëse bëri një sezon të mirë.