Përplasja e tre trenave në Indi shkaktoi një tragjedi të vërtetë me më shume se 280 të vdekur dhe mbi 850 të plagosur. Përplasja e shumëfishtë ndodhi në shtetin lindor Odisha. Mbi 200 ambulanca dhe 100 mjekë u mobilizuan menjëherë në vendngjarje.
Së pari një tren pasagjerësh mendohet se doli nga shinat para se të goditej nga një tjetër vonë të premten. Në incident u përfshi edhe një tren mallrash që kishte ndaluar. Zyrtarët paralajmëruan se bilanci i viktimave mund të rritet më tej deri në fund të kontrollit të vagonëve të përmbysur.
Kryeministri indian Narendra Modi shprehu shqetësimin e tij për ngjarjen e rëndë. India ka një nga rrjetet më të mëdha hekurudhore të botës dhe aksidentet janë të zakonshme pavarësisht investimeve të qindra miliona dollarëve për të përmirësuar infrastrukturën.