Keidi Bare do të luajë në Segunda Divizion sezonin e ardhshëm. Espanjol ku aktivizohet futbollisti shqiptar nuk ia doli të marrë fitoren ndaj Valencias për të shpresuar më pas tek qëndrimi mes më të mirave në Spanjë. Barazimi 2-2 në limitet e kohës shtesë rrëzoi matematikisht skuadrën katalanase në kategorinë e dytë pas tre vitesh qëndrimi në elitë. Përballje në të cilën Bare nuk u preferua të hidhej në fushë, për ta ndjekur këtë takim nga stoli. Sfida e javës së ardhshme kundër Almerias është e pavlefshme për katalanasit, me Baren që mund të mendojë edhe largimin nga Espanjoli.
Fieraku ka një kontratë deri në qershorin e vitit të ardhshëm dhe mbetet për tu përcaktuar e ardhmja në karrierë. Bare bashkohet kështu me një tjetër lojtar shqiptar që luan në divizionin e dytë të futbollit spanjoll, Armando Sadiku me Kartahenën. Rënia në La Ligën 2 e Bares ka sjellë një rokadë shqiptarësh në dy divizionet e futbollit në Spanjë. Në fundjavë vulosi ngjitjen edhe Myrto Uzuni me Granadën, me beratasin që tashmë do mbaj të paktën në dy numrin e lojtarëve shqiptarë në elitën spanjolle, së bashku me Ivan Balliun.