Pasditen e sotme luhet java e fundit e Superligës shqiptare. Si asnjëherë më parë, verdiktet e një sezoni vulosen në këto 5 përballje. Llogaritë e objektivave për 8 skuadra janë të hapura, me titullin kampion, skuadrën e fundit që kalon në Kupat e Europës, ekipin e zonës play-out dhe atë që bie nga kategoria për tu përcaktuar. Matematikisht, përpos Egnatias së zonës Europiane dhe Kastriotit të rënë në Kategorinë e Parë, të gjithë ekipet e tjera luajnë sezonin në 90 minuta të vetme.
Partizani është e favorizuar për të fituar titullin në rast se edhe Tirana e mbyll kampionatin në kuotën e 67 pikëve. Të kuqtë luajnë ndaj Teutës që kërkon Europën, ndërsa Tirana përballë Erzenit që dëshiron të shmang pozicionin play-out. Edhe gara për vendin e fundit në Kupat e Europës duket interesant. Teuta niset e favorizuar kundrejt Vllaznisë dhe Laçit. Kurbinasit sfidojnë në këtë 90 minutësh Kastriotin që i ka mbyllur llogaritë me Superligën në këtë sezon.
Për pozicionin play-out, atë që të lejon për të luajtur edhe një shans për qëndrimin në elitë gjithçka luhet mes Kukësit, Erzenit dhe Bylisit. Verilindorët janë të avantazhuar kundrejt ballshiotëve, pasi numërojnë 4 pikë më shumë, ndërsa mes Erzenit dhe Bylisit do ishin këto të fundit që do siguronin vendin e tetë në rast se do ketë barazim pikësh. Kuotë që do sigurohej hipotetikisht nëse Erzeni barazon me Tiranën, teksa Bylis triumfon përballë Vllaznisë.