Kryeministri Edi Rama ka reaguar për tensionet në veri të Kosovës. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Rama shkruan se ky proces nuk e ndihmon Kosovën. Ai bën thirrje që të mos vijohet më me rrugën e tensioneve.
“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar!
Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Rama.
Më herët edhe ndërkombëtarët kanë dënuar trazirat që erdhë pasi 4 kryetarë të komunave me shumicë serbe morën detyrën.