Zgjedhjet në Greqi duket se nuk kanë një përgjigje konkrete, pasi vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje pasi partitë politike janë në balotazh.
Me shumicën e votave të numëruara, Demokracia e Re konservatore mori një epërsi prej 40.8%, duke mposhtur të majtën radikale Syriza, e cila qeverisi nga viti 2015 deri në vitin 2019, me 20.1%. Pavarësisht se fitoi shumicën dërrmuese Partia e Mitsotakis nuk arriti që të siguronte një shumicë, duke siguruar 145 vende në parlamentin e ri.
‘Me votën e tyre grekët treguan se i njohin hapat e rëndësishëm përpara që ka bërë vendi ynë në këto katër vite. Ata dëshmojnë se Demokracia e Re ka miratimin e qytetarëve për të qeverisur në mënyrë të pavarur dhe të fuqishme. Në fund të fundit, këtë kërkuan votuesit, do të thosha në mënyrë absolute’, u shpreh Mitsotakis.
Lideri i Syrizës, Aleksis Tsipras përgëzoi rivalin e tij, por u shpreh se zgjedhjet e dyta mund të japin një tjetër shans Syriza-s.
Megjithatë pavarësisht fitores për shkak të sistemit proporcional të thjeshtë të djathtët nuk mund të sigurojnë që tani shumicën parlamentare dhe duke qenë se 4 partitë e tjera që hyjnë në parlament, kundërshtojnë mundësinë e një koalicioni, Greqia shkon në zgjedhje përsëri në fund të qershorit.