Pamje dramatike vijnë nga Italia. Rajoni i Emilia Romagna është përfshirë nga përmbytje të shumta që i kanë marrë jetën dy personave ndërsa katër të tjerë rezultojnë të zhdukur. Sipas mediave vendase, qytetet e prekura më shumë nga moti i keq janë Forli, Bologna, Rimini dhe Cesena. Në këto qytetet autoritetet kanë vendosur që të mbyllin shkollat dhe alarmi i kuq do të vijojë të mbetet në fuqi.
Në Cesena qytetarët u detyruan të ngjiteshin në çati. Marche dhe Abruzzo gjithashtu po përballen me rrëshqitjet e dherave, ndërsa në Veneto me rikthimin e baticës së lartë është urdhëruar edhe një herë ngritja e barrierave.
Ajo që shqetëson më shumë autoritetet janë një pjesë e madhe e lumenjve që rrezikojnë të dalin nga shtrati.
Sipas Coldiretti, dëmet e raportuara tashmë nga fermat dhe infrastrukturat në Emilia-Romagna vlerësohen në rreth 300 milionë euro. Mijëra hektarë tokë të përdorur për kultivimin e kumbullave, dardhave, mollëve, kivit, drithërave, fidanishteve, perimeve janë nën ujë.
Meteorologët kanë deklaruar se moti i keq në Itali do të vijojë edhe 10 ditë të tjera dhe me temperatura tipike pranverore, e kundërta e vitit të kaluar që solli një maj të thatë dhe të nxehtë.