Interi do të presë Milanin në stadiumin “San Siro” në euroderbin e dytë. Zikaltrit fituan gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampioneve me rezultatin 2-0
Por edhe pse është me një këmbë në finalen e Stambollit, trajneri Simone Inzagi shprehet në konferencën për shtyp përpara sfidës, se derbi nuk është një ndeshje si të tjerat.
‘Patjetër që kualifikimi varet vetëm nga ne! E dimë se kë kemi përballë, por e dimë gjithashtu se jemi gati për një nga ndeshjet më të rëndësishme në histori. Kemi qenë në të njëjtën situatë ndaj Benfikës. Do të kemi pengesa në këtë sfidë, por duhet të jemi të zotë t’i kapërcejmë.
Skuadra është e pjekur, e dimë se kemi një avantazh të merituar, por edhe që nuk kemi bërë asgjë ende. Nuk mund të spekulojmë për rezultatin e ndeshjes së parë. Arbitri francez? Asnjë problem, edhe pse Milani ka katër lojtarë francezë’, u shpreh trajneri i Inter, Simone Inzaghi.
Ndërsa trajneri i kuqezinjve Stefano Pioli në konferencën për shtyp tha se skuadra e tij e ka treguar se di të bëjë ndeshje të mëdha.
‘Besojmë te përmbysja sepse jemi Milani, sepse kemi treguar që luajmë ndeshje të mëdha. Mund të japim një nivel të lartë loje në fushë sepse kam lojtarë që të vetëm mund të bëjnë diferencën. Në pjesën e parë të sfidës së parë nuk ishim vetvetja. Duhet ta nisim nga pjesa e dytë. Tifozët që na rrinë afër, na karikojnë! Leao është mirë, e bashkë me Kruniç dhe Mesias kanë qenë në stërvitje dhe nëse shkon mirë, mund të jenë që të tre Besoj se ekipi mund të bëjë një ndeshje të madhe’, tha trajneri i Milanit, Stefano Pioli.
Trajneri Pioli mendon se “Djalli” duhet që të shfrytëzojë në maksimum rastet për gol, ndryshe nga sfida e parë gjysmëfinale.