Sa herë afrojnë zgjedhjet, si vendoret edhe ato të përgjithshmet, nga ana e institucioneve por edhe nga partitë politike, artikulohet vota e emigrantëve. Këta të fundit, duke përbërë një numër shumë të madh, mund të luajnë një rol vendimtar në përzgjedhjen e drejtuesve të bashkive dhe të vendit.
Në vitin 2020, në Parlament u votua për ndryshimet në Kodin Zgjedhor të cilat ishin: renditja e listës e cila bëhet nga kryetari i partisë dhe kandidati mund ta prishë këtë renditje të bërë nga partia, vetëm nëse merr më shumë vota parapëlqyese se sa mesatarja që ka marrë partia për të fituar një mandat deputeti në një qark të caktuar. Ndryshimi i dytë ishte shpërndarja e mandateve ku renditja e kandidatëve ndryshon vetëm nëse kandidati ka marrë një numër votash parapëlqyese më të madhe se herësi, si dhe ndryshimi për koalicionet, ku partitë politike mund ta bëjnë koalicionin vetëm me listë unike dhe në një sigël të vetëm.
Një debat i madh u bë edhe në lidhje me votën e emigrantëve ku pati disa propozime. U propozua që të kishte 2 alternativa në lidhje me votën e emigrantëve, me zarf ose në ambasadë dhe që të gjitha votat e emigrantëve të llogariteshin si një qark i 13-të dhe të dilte vetëm një deputet, gjë që nuk gjeti konsensus.
Disa ditë më parë, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u shpreh se po punohet që brenda vitit 2025 të bëhet e mundur vota e emigrantëve:
“Dua që në 2025 të mundësojmë votimin e shqiptarëve që votojnë jashtë Shqipërisë, është një proces me shumë të panjohura, me rëndësi që partitë politike brenda këtij viti të përfundojnë reformën zgjedhore”, tha Celibashi.
Përtej pjesës ligjore, në të gjithë këtë histori duhet të shihet edhe pjesa morale. Duhet të pranojmë se gjysma e shqiptarëve që kanë ikur nga vendi janë larguar si pasojë e presionit komunist dhe gjysma gjatë demokracisë për shkaqe dhe arsye të ndryshme. Për të folur për pjesën morale, të gjithë ata emigrantë që në çdo ndeshje futbolli tregohen atdhedashës dhe bërtasin ‘Shqipëri-Shqipëri’ le të marrin avionin, tragetin, makinën dhe të shfaqen në çdo KZAZ ku kanë listat e votimit dhe të japin votën e tyre.
Në rrjete sociale, në rrugë, në kafene diskutojnë që Shqipëria nuk bëhet dhe se jetesa është bërë e vështirë, por ndryshimi nuk mund të ndodh menjëherë në rang kombëtar kur secili nga ata nuk e ka marrë asnjëherë mundimin që të vijë një të dielë çdo 2 vite për të shprehur vullnetin me votë. Ndoshta shumica e emigrantëve mund të ecin me logjikën se nuk ju interesojnë zgjedhjet lokale sepse nuk jetojnë në Shqipëri, por kur dikush nuk dëshiron të shoh mirë fshatin, lagjen apo qytetin e tij, si mund të dojë të gjithë Shqipërinë?
Njeriu për të parë ndryshimin që do, duhet ta nisë që nga shtëpia e tij, nga qyteti dhe më pas të mendoj për problemet e të gjithë vendit.
Nëse ka ndonjë fije dyshimi që institucionet dhe qeveria nuk janë të interesuara për votën e emigrantëve se mund ‘të trazojnë’ shumë ujëra, mos harrojmë, që janë emigrantët të painteresuarit kryesor në këtë proces…/ Klara Murra