Arsenali ka fituar 2-0 në fushën e vështirë të Newcastle. “Topçinjtë” arritën suksesin falë një ndeshje të kujdesshme duke e menaxhuar mirë presionin e kundërshtarit.
Ashtu siç pritej Newcastle e filloi ndeshjen me një shpirt shumë luftarak, por ishte ekipi i Artetës që kaloi i pari në avantazh me Odegaard që realizoi një super gol në minutën e 14’.
Pavarësisht tentativave nga ana e ekipit vendas, pjesa e parë u mbyll me miqtë në avantazh. Në fraksionin e dytë Arsenal gjeti golin e dytë në minutën e 71’, ku pas një super goditje nga Martinelli, Shar do të bënte autogol, për të vulosur rezultatin e kësaj sfide.
Pas raundit të 35-të të Premier League, Arsenal shkon në kuotën e 81 pikëve një më pak se Manchester City kryesues, por me këta të fundit që kanë një ndeshje më pak.
Nga ana tjetër Newcastle vijon të mbetet në vend të tretë me 65 pikë të grumbulluara, por me një ndeshje të prapambetur.