Edicionit të dytë të Big Brother Vip Albania po i vjen fundi. Teksa ka nisur numërimi mbrapsht për shpalljen e fituesit, të shumta janë edhe aludimet në media se kush do ta rrëmbejë çmimin e madh të gati 130 ditëve izolim nën mbikëqyrjen e kamerave.
Nëse do të bënim një rezyme të shpejtë të 4 finalistëve, do të kuptonim se janë ata të katërt që kanë kaluar më shumë sfida brenda shtëpisë së Big Brother Vip Albania dhe kanë qëndruar më larg realitetit se të tjerët.
Popullariteti që ka fituar Luiz Ejlli, ndonjëherë ka marrë edhe përmasa të frikshme, aq sa ka shkuar deri në ngritjen e popullit në protestë kur kanë parë që atij i janë shkelur të drejtat dhe produksioni ka bërë komplote kundër tij. Ndodhur në këto kushte, kur populli ngrihet në protestë për një personazh që merr pjesë në një emision televiziv, fituesi nga përkrahja e publikut, priret të jetë Luiz Ejlli. Por ajo që e step fitoren e padiskutueshme të tij, sipas publikut dhe komenteve të tyre në rrjetet sociale, është modeli që njerëzit kërkojnë të shohin si fitues.
Luiz Ejlli ka luajtur shumë fort këto 4 muaj, por duhet thënë se nuk ka luajtur në mënyrën më të mirë të mundshme duke përdorur edhe kartat e fundit si alibi. Ai ka shkuar deri në pikën ku ka luajtur me ndjenjat e ndjekësve për të fituar ‘mëshirën’ e tyre. Thënë ndryshe Luizi është fituesi i votave të publikut, por krah për krah tij qëndron edhe Efi.
Vajza që pati ‘guximin’ t’i kthehet Luizi kundër e kësisoj duke marrë parasysh edhe pasojat që kjo gjë do t’i shkaktonte tek publiku. Ajo ndoqi zemrën e saj dhe nuk i interesoi mendimi i publikut dhe sesi mund të shikohej nga jashtë. E drejtpërdrejt, e ftohtë dhe me argumente të forta, Efi Dhedhes ja doli të shihet si rivale e denjë dhe e fortë në sytë e pretendentit kryesor, Luizit.
Në të gjithë këtë betejë për fitore, e palëkundur dhe stoike qëndron edhe Dea Mishel Hoxha. Vajza shembull që me qëndrimet e saja të njëjta që nga dita e parë, ka bërë që të prek finalen dhe siç është shprehur edhe ajo, duke dalë nga pritshmëritë e saja. Një vajzë delikate, e qetë dhe e sjellshme, e cila shpesh herë është gjykuar në rrjet si ‘biondja’, ‘barbi’ dhe se nuk bën asgjë në atë shtëpi përveç se flirton me djemtë. Me daljen e saj në finale ka bindur publikun se nuk ndodhet rastësisht mes 4 më të preferuarve nga dhjetëra të tjerë që kanë shkelur në atë shtëpi. Thënë ndryshe, nëse rrjeti e ka cilësuar Luizin si fituesin e votave të publikut, Dean e ka cilësuar si fituesen morale të këtij edicioni për qytetarinë dhe finesën që ka treguar. Vajza shembull që secili prind do të kishte dëshira ta shihte në ekran.
I katërti, i cili u zgjodh si finalist është edhe Kristi, banori i cili siç edhe është shprehur, duke qëndruar shumë me Luizin ka marrë dhe ka mësuar nga ai sesi duhet të luajë. Kristi, shpesh herë duke luajtur edhe rolin e të paqëndrueshmit, ka krijuar dhe ka prishur aleanca të cilat i kanë shërbyer për ta çuar deri në finale. Djali atipik shqiptar i rritur jashtë vendit, i cili argumenton shumë bukur dhe është gjithmonë në krahun e të vërtetës edhe pse shumë herë kjo e fundit ka qenë kundër tij. Kristi jo rrallë ka artikuluar se është një konkurrent i denjë për Luizin dhe se mund ta mund duke i rrëmbyer edhe fitoren.
Nuk dihet nëse do të zgjidhet një fitues i votave të publikut siç është Luiz Ejlli, një fitues i guximit siç është Efi Dhedhes, një fitues moral siç është Dea Mishel Hoxha apo një fitues i artikuluar siç është Kristi Aliaj.
Rrjeti është i ndarë dhe secili nga katër finalistët ka tifozeritë përkatëse duke e bërë finalen e madhe të paparashikueshme, por si gjithmonë, i paparashikueshëm pritet që të jetë edhe ‘Vëllai i Madh’./ Klara Murra