Pritjes 33-vjeçare për titullin kampion i shtohen edhe pak ditë në shtëpinë e Napolit. Skuadra jugore është vetëm një pikë larg “Scudettos” që famshme, me Rrahmanin me shokë që mund të festojë që këtë mesjavë. Gjashtë javë para fundit, ekipi i trajnerit Luciano Spalletti numëron 18 pikë distancë me Lazion, kundërshtarë mbi të cilin do hedh vështrimin të mërkurën e 3 majit. Kryeqytetasit janë të detyruar për të fituar ndaj Sassuolos dhe nëse Hysaj merr 3 pikët, Napolit i mjafton një barazim në transfertën e Udinezes të enjten.
“Ne jemi të dënuar për të vuajtur” u shprehën tifozët e mbledhur në rrugët e qytetit jugor për të festuar titullin që mungon në vitrinë që prej vitit 1990. Asokohe, skuadra udhëhiqej nga një legjendë si Diego Maradona, në nder të së cilit mori emrin edhe stadiumi i Napoletanëve.
Pikërisht ky impiant është zgjedhur edhe për të festuar titullin, me mbi 60 mijë tifozë që do të kenë mundësinë për të ndjekur nga monitori sfidën e “Olimpicos” mes Lazios e Sassuolës. Duel që do transmetohet përmes monitorëve të mëdhenj, rezultati i së cilës është i lidhur ngushtë edhe me festën e popullit napoletan.
Prej 33 vitesh, trofeu i lakmuar i kampionëve është fituar kryesisht nga skuadrat veriore, si Juventus, Milan dhe Inter. Por tashmë historia ka ndryshuar dhe Napoli është shumë pranë Olimpit të futbollit italian. Sukses që do të mbërrinte në edicionin e 77-të të tyre në Serie A dhe do ishte i treti në histori.