Pesë javë nga fundi i Kategorisë Superiore, llogaritë e titullit mbeten të hapura. Tirana dhe Partizani janë konfirmuar tashmë si rivalët direkt, me bardheblutë që janë tepër të favorizuar për të ruajtur titullin e fituar sezonin e shkuar. Me pesë pikë avantazh dhe me një Derbi për të luajtur, Tirana shihet më afër trofeut që do të ishte i 27-i në historinë bardheblu. Një sukses që do të arrihej nëse skuadra e Orges Shehit do të arrinte të grumbullonte të paktën 10 pikë në 5 ndeshjet e mbetura, gjithmonë nëse në Derbin e kryeqytetit arrijnë të barazojë ose të marrë maksimumin.
Kalendari është relativisht i ekuilibruar për të dy ekipet. Përpos Partizanit, Tirana do të sfidojë ekipe që luajnë për mbijetesë, si Teuta, Bylis dhe Erzeni, teksa një përballje për zonën e lartë të renditjes do jetë ajo ndaj Laçit. Me skuadrat e fundit të renditjes do të luajë edhe Partizani. Të kuqtë masin forcat me Kukësin, Kastriotin dhe Teutën, ndërkaq, Vllaznia është kundërshtarë që synon Europën. Përballje tepër të forta për dy ekipet që garojnë për titullin, në një duel të ndërtuar nga fillimi i sezonit.
Matematikisht në lojë është edhe Egnatia, që numëron 13 pikë më pak se Tirana, por vetëm një mrekulli e rrogozhinasve dhe hapet fals të bardhebluve do t’i kurorëzonte kampionë të vendit. Egnatia do të shpallej kampione nëse Tirana nuk merr më shumë se një pikë në këto takime të mbetura, ndërsa vetë të fitojë të gjithë sfidat që ka përpara, ndaj Bylisit, Kastriotit, Erzenit, Teutës dhe Kukësit. Kundrejt Partizanit misioni bëhet edhe më i lehtë, pasi distanca me ta është 8 pikë, hendek që në rast fitoreje të 15 pikëve, rrogozhinasit do shpresonin që të kuqtë të lënë të paktën gjysmën e pikëve në dispozicion.
Sfidat e mbetura të Tiranës:
Teuta-Tirana
Tirana-Partizani
Laçi-Tirana
Tirana-Bylis
Erzeni-Tirana
Sfidat e mbetura të Partizanit:
Partizani-Kukësi
Tirana-Partizani
Partizani-Vllaznia
Kastrioti-Partizani
Partizani-Teuta