Dy ditë pas deklaratës antikushtetuese se nuk do të bashkëpunonte me kryebashkiakë të zgjedhur nga opozita pas 14 majit, kryeministri Edi Rama është kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme.
Në emër të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, kandidatja për këshillin bashkiak në Tiranë, Adriana Kalaja ishte në SPAK këtë të premte ku ka dorëzuar një padi. Sipas saj, i pari i qeverisë ka bërë deklarata kërcënuese kundrejt bashkive ku mund të fitojnë kandidatët e “Bashkë Fitojmë”.
Në kallëzimin penal, Kalaja e akuzon Ramën për fyerje, nxitje të urrejtjes, pengim të subjekteve zgjedhore dhe përdorimin të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore.