Formula 1 rikthehet në rrugët e Bakut këtë fundjavë, ndërsa Azerbajxhani pret garën e parë të sprintit në këtë sezon. Kampionati botëror i makinave do të jetë mjaft impenjativ në gjashtë javët e fundit, ndërsa do të zhvillohen pesë çmime të mëdha.
Pas një pushimi të gjatë në muajin prill për shkak të anulimit të Çmimit të Madh të Kinës, emocionet në Formula 1 rinisin me garat sprint, e me një seancë kualifikuese që zëvendëson praktikën përfundimtare.
Ky ndryshim u mundëson pilotëve që të garojnë për pikë të shtunën, duke ditur se rezultati nuk do të ndikojë në vendin ku ata do të rreshtohen të dielën.
Edhe pse skuderitë votuan unanimisht pro, formati i ri mund të rezultojë problematik në një pistë që të lejon të garosh me shpejtësi të lartë, por barrierat nuk të lejojnë të garosh.
Që kur Çmimi i Madh i Azerbajxhanit u përfshi në kalendarin e F1 në 2016, aty kanë ndodhur mjaft aksidente. Rezultatet më të mira në këtë pistë i ka arritur Sergio Perez, që fitoi në 2021, doli i dyti në 2022 dhe i treti në 2016 dhe 2018. Vitin e shkuar, garën e fitoi piloti tjetër i Red Bull, Max Verstappen. Favoritë është skuderia e Red Bull, me pilotët e saj që kanë fituar të tria garat e para të sezonit.