Disa muaj më parë në të gjitha mediat angleze, kryefjalë ishin emigrantët shqiptarë të cilët u dyndën drejt Britanisë së Madhe me gomone, për një jetë më të mirë. Për Shqipërinë ky nuk është treguesi më i mirë i mirëqenies sonë si shtet, por që në kohët e hershme të njerëzimit, njerëzit kanë emigruar për çështje ekonomike, arsimore, shëndetësore e të tjera. Dyndja e madhe e shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe, shkaktoi pakënaqësi tek zyrtarët britanikë dhe më shumë nga të gjithë tek Suella Braverman. Kjo e fundit, e cila mban një postë mjaft të rëndësishëm në institucionet britanike, pikërisht atë të sekretares së Brendshme, e quajti të rrezikshme faktin që shqiptarët po ‘mbipopullonin’ vendin e saj, pasi sipas saj, të gjithë shqiptarët janë kriminelë dhe vrasës. Një tjetër argument i saj ishte se Shqipëria është vend i sigurt origjine dhe nuk ka nevojë që shtetasit e saj të kërkonin azil politik në Britani.
Retorika diskriminuese nga Braverman solli protesta të shumta në “Westminster Bridge” në Londër, me sloganin “Kundër poshtërimit të shqiptarëve në Britani”. Të veshur kuqezi, me pankarta në duar dhe muzike patriotike në sfond, emigrantët kërkuan dorëheqjen e sekretares britanike duke theksuar se nuk janë kriminelë. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama i cili i kërkoi sekretares së Brendshme të tërhiqte fjalët e saj dhe të kërkonte falje publike, gjë që nga ana e saj nuk erdhi asnjëherë. Në takimin që kryeministri kreu një muaj më parë në Angli, ai i kërkoj kryeministrit britanik Rishi Sunak që të mbante një qëndrim më strikt kur bëhej fjalë për të steriotipizuar shqiptarët pasi sipas tij, ky komunitet është shumë i rëndësishëm dhe luan një rol të madh në Britani. Rama u këshilloi që të marrin shembujt e biznesmenëve shqiptarë, të studentëve të shkëlqyer si dhe të artistëve me famë botërore që kanë origjinë shqiptare, siç është edhe Dua Lipa.
Sikur të mos mjaftonte, një muaj më parë u ndalua nga policia angleze një shqiptar i cili u kap me çaj mali të cilin policia e konsideroi si lëndë narkotike duke e mbajtur në qeli për 2 ditë. Sërish i menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit shqiptar i cili i kërkoi sërish Rishi Sunak të reagonte pasi kjo situatë nuk është aspak normale.
Sot, 4 muaj pas diskriminimit të vazhdueshëm që u bëhet shqiptarëve në Britaninë e Madhe, konfirmohet lajmi se biznesmeni shqiptarë Ardian Nikulaj është vrarë nga shtetas britanikë. Ata kanë ndihmuar në realizimin e vrasjes. Bëhet fjalë për shtetasit anglezë Harriet Bridgeman, Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt si dhe ekzekutorin i cili është shtetasi portugez Ruben Saraiva. Të gjithë të përmendurit ndodhen në kërkim nga policia.
Shtetasit britanikë kanë ardhur disa herë në Shqipëri për të marrë informacion dhe janë larguar sërish deri në ditën kur ka ndodhur krimi i rëndë në Lezhë, në lokalin e biznesmenit. Ata kanë udhëtuar disa herë me avion të pa shqetësuar pasi ata janë shtetas britanik dhe jo shqiptarë që duhet të kalojnë 100 peripeci derisa të marrin një vulë në pasaportë në rastin më të mirë, ose të ecin me ditë e ditë të tëra me gomone ose kamion në rastin me të keq.
Në lidhje me ketë ngjarje të rëndë, nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga Britania përveç disa lajmeve në mediat britanike, që për ironi të fatit, nuk janë në faqet e para siç janë lajmet për shqiptarët që etiketohen të gjithë kriminelë. Madje as në mediat shqiptare nuk është pompuar fakti se vrasësit janë shtetas britanikë dhe askush nga qeveria nuk ka dalë t’i quajë britanikët vrasës dhe kriminelë. Por pas vrasjes Britania e bëri një hap, riatdhesoi 100 shqiptarë që kishin kërkuar azil për 1001 arsye.
Rishi Sunak dhe Suella Braverman i detyrohen një falje më shumë se kurrë shtetasve shqiptarë që jetojnë në Britani. Kryeministri për heshtjen e tij dhe sekretarja e Brendshme që i ka akuzuar non stop bashkatdhetarët tanë…Kriminelët e vërtetë në të gjithë këtë histori nuk janë shqiptarët por shtetasit e tyre. Por pyetja është…a janë të gjithë britanikët vrasës? Jo, patjetër që jo…/ Klara Murra