Klubet evropiane të futbollit që ndihen të margjinalizuara nga klubet e pasura të Ligës së Kampionëve, Shoqata Evropiane e Futbollit (UEFA) dhe Shoqata Evropiane e Klubeve (ECA) kanë themeluar Unionin e Klubeve Evropiane (UEC).
E nisur në Bruksel, ku do të ketë selinë e saj, UEC synon t’u “ju japë zë” pothuajse 1400 klubeve që nuk përfaqësohen në drejtimin aktual të futbollit kontinental, sepse nuk luajnë në një nga tre kompeticionet evropiane, shpjegoi një nga përfaqësuesit e saj, eksperti i marketingut sportiv William Martucci.
Struktura e re me konturet e paqarta, e cila nuk ka as ekip drejtues dhe as statut, gjatë prezantimit të saj njoftoi regjistrimin e rreth 40 klubeve nga 25 vende, raporton AFP.
Larg nga nisja e një rebelimi të krahasueshëm me përpjekjen e ndërprerë nga 12 klubet elitare në Superligë në pranverën e vitit 2021, UEC e paraqet veten si një “partner social” i organizatave të lojtarëve dhe tifozëve dhe një plotësues i Shoqatës Evropiane të Klubeve (ECA).
“Nuk bëhet fjalë për zëvendësimin e ECA-s, por për të dhënë një kundërpeshë ndaj ndikimit që klubet e mëdha kanë në menaxhimin dhe financat e futbollit evropian përmes ECA-s. Grupi i ri synon të marrë vende në organet vendimmarrëse të UEFA-s”, siguron specialistja e së drejtës sportive Katarina Pijetlović në një prononcim për Hina.
As UEFA dhe as ECA, dy strukturat që drejtojnë së bashku kompeticionet fitimprurëse evropiane të klubeve, nuk kanë dashur të komentojnë ardhjen e këtij “lojtari” të ri në futboll.
ECA, e nisur në vitin 2008, aktualisht ka më shumë se 300 klube anëtare.
Ajo gjithashtu ka një kontratë me FIFA-n, e cila mbulon si kalendarin ndërkombëtar ashtu edhe kompensimin për klubet që lirojnë lojtarët e tyre ndërkombëtarë për ndeshjet e ekipeve kombëtare.