Një nga armiqtë më të këqij të duhanpirësve është ndër të tjera forca e zakonit, pasi paraqet edhe karakter social. Një aplikacion i ri inteligjent celular, i zhvilluar nga shkencëtarët në Universitetin e Anglisë Lindore, premton të vendosë ‘frenë’ në dëshirën për të pirë duhan, pasi mjeti mund të kuptojë se ku dhe kur mund të dëshironi të ndizni një cigare !
Është aplikacioni i parë në botë i inteligjencës artificiale (AI) për lënien e duhanit, i quajtur Quit Sense. Aplikacioni gjithashtu ofron këshilla për të lënë me sukses duhanin.
Sipas studimit që shqyrtoi përfitimet, botuar në Nicotine and Tobacco Research , aplikacioni i ri ndihmoi më shumë duhanpirës të lënë duhanin sesa njerëzit të cilëve iu ofrua vetëm mbështetje online nga Sistemi Kombëtar i Shëndetit të Anglisë (NHS).
Studimi i tyre i rastësishëm përfshiu 209 duhanpirës të përzgjedhur rastësisht nga rrjetet sociale.
Ai zbuloi se kur duhanpirësve iu ofrua aplikacioni Quit Sense, tre të katërtat e instaluan atë dhe ata që filluan një përpjekje për të lënë duhanin me aplikacionin e përdorën atë mesatarisht për rreth një muaj. Për sa i përket efektivitetit të kësaj metode teknologjike, deri në katër herë më shumë njerëz e lanë duhanin gjashtë muaj më vonë, krahasuar me ata që iu ofrua vetëm mbështetje online nga mjekë specialistë.
Ekipi hulumtues shpreson që duke i ndihmuar njerëzit të menaxhojnë situatat që inkurajojnë pirjen e duhanit, aplikacioni i ri do të ndihmojë më shumë duhanpirës të lënë pas zakonin e dëmshëm.