Kryekomisioneri i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi se në këto zgjedhje duket se ka një lloj kujdesi për t’i respektuar rregullat për financimin e partive politike dhe transparencës.
Këto, për burimin e fondeve të fushatës zgjedhore të 14 majit.
“Por as unë dhe as ju nuk e kemi iluzionin që kemi të bëjmë me ‘shenjtë’ kur vjen puna për paratë që duan të marrin dhe kërkojnë partitë politike. Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri por kudo në botë”.
Sipas tij, KQZ-ja “mund të bëjë më shumë për t’i bërë të përmbajtura që të mos demonstrojnë në mënyrë arrogante fuqinë e tyre për të shpenzuar para pa limit në fushatën zgjedhore”.
Fondet
Nga fondi total prej 345 milionë e 600 mijë lekësh, ose 3.4 milionë dollarësh e konvertuar, 151 milionë e 494 mijë lekë (rreth 1.5 milionë dollarë), shkojnë për socialistët.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike, e përfaqësuar nga kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj, do të marrë 106 milionë e 661 mijë lekë (rreth 1 milion dollarë), për të zhvilluar fushatën.
Jashtë, është lënë grupimi i Sali Berishës, i cili nuk është i regjistruar me një parti të mirëfilltë në zgjedhje, por në koalicionin e krijuar me Partinë e Lirisë, atë Demokristiane dhe PBDNJ.
Kështu, bazuar edhe në ndarjen e fundit elektorale, Partia e Lirisë ka përfituar një shumë prej 15 milionë e 577 mijë lekësh (rreth 150 mijë dollarë).
Partia Republikane ndjek me 11 milionë e 488 mijë lekë (rreth 110 mijë dollarë) dhe Partia Social Demokrate me 12 milionë e 266 mijë lekë (rreth 120 mijë dollarë).
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ajo Agrare Ambjentaliste, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, si edhe Partia e Legalitetit, përfitojnë shuma identike, në 8 milionë e 18 mijë lekë (rreth 80 mijë dollarë).
Listën e mbyll Nisma Thurja, e cila do të përfitojë 6 milionë e 283 mijë lekë (rreth 60 mijë dollarë).