Dokumentet shumë të klasifikuara të Pentagonit të postuara në mediat sociale tregojnë se SHBA është pesimiste sa i përket luftës në Ukrainë. Zyrtarët flasin për dobësi në armatime dhe në mbrojtjen ajrore të Ukrainës, madje edhe duke parashikuar një “bllokim” në luftë për muajt e ardhshëm.
Dokumentet, që duket se datojnë nga shkurti dhe marsi, detajojnë shumë nga mungesat e ushtarake të Ukrainës edhe pse Kievi thotë se po përgatitet për një kundërofensiv në pranverë kundër Rusisë.
Disa nga dokumentet sekrete paralajmërojnë se mbrojtja ajrore me rreze të mesme e Ukrainës do të “reduktohet plotësisht më 23 maj,” e për pasojë vënë theksin se Rusia së shpejti mund të ketë epërsi ajrore. Kjo do të bënte që Ukraina mund të humbasë aftësinë për të grumbulluar forcat tokësore në një kundërofensiv.
Rrjedhja e dokumenteve, shumë prej të cilave ishin top sekret, është një shkelje e madhe e sigurisë kombëtare. Departamenti i Drejtësisë ka nisur një hetim penal për të zbuluar se kush mund t’i ketë nxjerrë, ndërsa Pentagoni është duke hetuar se si rrjedhja e këtyre informacioneve ndikon në sigurinë kombëtare të SHBA-së. Përveç vlerësimit të luftës në Ukrainë, dokumentet përfshijnë informacionet e mbledhura si mbi aleatët, ashtu edhe kundërshtarët.