Një nga vullkanet më aktive të Rusisë shpërtheu të martën, duke lëshuar një re të madhe hiri në qiell, që mbuloi disa fshatra. Vullkani Shiveluç shpërtheu pak pas mesnate dhe arriti kulmin rreth gjashtë orë më vonë, njoftoi Akademia ruse e Studimeve Gjeofizike. Sipas njoftimit, hiri vullkanik mbuloi një sipërfaqe prej 108 mijë kilometrash katrorë.
“Hiri ka arritur në 20 kilometra lartësi. Vullkani po përgatitej për këtë për të paktën një vit dhe procesi po vazhdon, edhe pse është qetësuar tani”, tha Danilo Chebrov, drejtor i degës në Kamçatka të Akademisë së Studimeve Gjeofizike.
Disa shkolla në Kamçatka, rreth 6.800 kilometra në lindje të Moskës, u mbyllën dhe banorët u urdhëruan të qëndrojnë brenda.
Një prej vullkaneve më të mëdha dhe më aktive të Kamçatkas, Shiveluç ka pasur mesatarisht 60 shpërthime të fuqishme në 10.000 vjetët e fundit, ndërsa i fundit i intensitetit të madh u regjistrua në 2007.