Kryeministri Edi Rama ka prezantuar podcast-in e tij “Flasim”, mirëpo duket se nuk është i pari në këtë drejtim. Ish kryeministri, Sali Berisha ka deklaruar se ai ka ka pasur këtë dritare komunikimi shumë kohë më parë dhe Rama “e ka kopjuar”.
“Të dashur miq të komunitetit të madh të rrjeteve sociale Facebook, Instagram dhe Tik Tok. Që prej dhjetorit, kam në ‘sirtarin’ tim dixhital të komunikimit me ju, edhe podcast-in tim të përjavshëm. Ngjarjet e kanë shtyrë këtë takim të ri me ju në një format tjetër, por duke filluar nga sot do të shihemi edhe në këtë dritare të re.
Mora vesh se edhe Edi Rama do ketë podcast. Si gjithmonë disa hapa pas meje, por ju e dini se unë kam një pasion të veçantë për teknologjinë dhe risitë e saj.
Kam menduar që komunikimi me ju në podcast të përqendrohet kryesisht në çështje jo politike, në Sali Berishen qe ju nuk e keni njohur dhe këtë e provon edhe ky episod i parë, i regjistruar në dhjetorin e kaluar”, shkruan Berisha.
Teksa të dy kanë tashmë podcast, Berisha i ka bërë edhe një ftesë publike që të bëjnë një debat live.
“Meqë Rama paska thënë se është gati që të debatojë edhe me kundërshtarin politik, një ftesë që unë ja kam bërë prej kohësh në studiot televizive, ia përsëris tani publikisht, që ta bëjmë debatin të cilit ai i shmanget. Ku të dojë ai, në podcast-in tim apo të tijin.
Mendoj se politikanët duhet të ballafaqojnë pikëpamjet e tyre. Uroj të gjejë kurajo dhe të pranojë ftesën time”, shkruan Berisha.