Situatë kaotike te PSG. Kampionët e Ligue 1 nuk po shkëlqejnë në fushën e blertë, diçka që e konfirmuar edhe përballë Lionit. Klasikja e Francës foli në favor të miqve, me skuadrën e yjeve që zhgënjeu sërish. Humbja 1-0 jo vetëm lëkund objektivat e PSG-së, por shkakton një situatë tepër negative. Tifozët ultras fishkëllyen yllin e skuadrës Lionel Messin për paraqitjen në fushën e blertë. Argjentinasi u vlerësua me notën 6.4, duke qenë ndër lojtarët më të dobët.
Ambienti i rënduar në kryeqytetin francez mund të shtyjë akoma dhe më shumë 35-vjeçarin për tu larguar, me alternativat që nuk mungojnë. Disfata ndaj Lionit ishte e dyta radhazi për kryesuesit e kampionatit francez, me Christophe Galtier që nuk po arrijnë të rikthejë në shina një skuadër të mbushur me yje.
Pavarësisht kryesimit me 6 pikë më shumë se rivalët, drejtuesit kryeqytetas nuk janë të kënaqur me teknikun, gjithsesi, shkarkimi i tij nuk mendohet të paktën deri në fundin e sezonit. PSG ka humbur tetë nga 18 ndeshjet e këtij viti në të gjithë garat, shifra më e lartë pas kaq sfidave që nga viti 2001. Për më tepër, 5 humbjet në kampionat, francezët i kanë pësuar gjatë vitit 2023, një ecuri që tregon formën totalisht të dobët të PSG-së.