Me kontratën me PSG që po shkon drejt përfundimit, për Lionel Mesin ka interesim nga SHBA, Arabia Saudite, por edhe Barcelona. Por ylli argjentinas një ide në kokë për të ardhmen e ka.
Sulmuesi 35 vjeçar u ka thënë shokëve të ekipit se ai dëshiron që të rinovojë me klubin parisien. Më pas, preferon një eksperiencë në kampionatin amerikan të futbollit. Argjentinasi ka nisur bisedimet me PSG e po shqyrton ofertën e tyre.
Sipas “Daily Mail”, oferta e bërë nga parisienët është e vetmja që i ati i tij, Horge ka diskutuar, e që po e merr në konsideratë.
Edhe pse joshet nga një eksperiencë në SHBA, Mesi gjykon se nuk është moment. Inter Miami prej kohësh ka kontaktuar me yllin argjentinas, duke i ofruar atij një pagesë të mirë, e gjithashtu mundësinë për të investuar.
Edhe pse 35-vjeçarin e josh ideja për t’u përfshirë në tregun amerikan, si fillim ai ka si objektiv të luajë një tjetër Ligë Kampionesh me parisienët. Te PSG priten të tjera ndryshime në verë, duke nisur që nga stoli, e për të vazhduar edhe me formacionin. Qëllimi i drejtuesve është që të sjellin në “Park de Prince” identitet francez, e kjo do të sjellë largime të futbollistëve aktualë e afrime të atyre francezë.