Sporti ka qenë kryefjala e ditë së sotme të axhendës së kryeministrit Edi Rama. Teksa ka nderuar sot 7 sportistë elitarë me medalje, kreu i qeverisë bëri me dije lajmin e mirë se do të ketë mbështetje financiare për të gjithë ata sportistë që do të kenë nevojë për stërvitje speciale jashtë Shqipërisë, referuar rastit të Luiza Gegës që i duhej të bënte stërvitje në Kenia.
“Jemi shumë të vendosur që ta thellojmë mbështetjen për sportistët elitare me mbështetjen për lëvizjen sportive në shkolla. Duke marrë në konsideratë nevojat e sportistëve elitarë, jo vetëm të kampionëve por edhe të atyre që kanë potencialin për t’u kthyer në kampion.
Për sportistët që marrin tituj kemi një politikë financiare një politikë që i fut sportistët tanë elitarë në nivelin e parë sa i përket mbështetjes financiare. Jemi të parët në rajon, të parët në raport me shumë vende që kanë kampion botërorë në këto disiplina dhe duam të vazhdojmë ta bëjmë këtë duke shtuar edhe një mbështetje për periudhat stërvitore speciale. Se aty ka akoma boshllëk, për t’iu dhënë mundësi të stërviten në kushte optimale, bashkë me trajnerët për të gjithë periudhën e nevojshme në ato parametra siç është rasti i Luizës”, tha Rama.
Në fund të ceremonisë, Rama ka vlerësuar me ‘yllin e mirënjohjes publike’ shtatë sportistët që kanë bërë krenar vendin tonë në arenën ndërkombëtare. Bëhet fjalë për sportistët Briken Calja, Erkand Qerimaj, Zelimkhan Abakarov, Lara Colturi, Eklent Kaçi, Alban Beqiri dhe Genta Beqja.
Shtatë sportistët e vlerësuar me ‘yjet e mirënjohjes publike’:
Briken Calja – Kampion bote në peshëngritje
Erkand Qerimaj – Kampion në peshëngritje
Zelimkhan Abakarov – Kampion në mundje
Lara Colturi – Kampione në ski
Eklent Kaçi – Bilardo
Alban Beqiri – Vendi i tretë botëror në boks
Genta Beqja – Bodybuilding