Kapiteni i Polonisë, Robert Lewandowski është i kënaqur me fitoren e parë të arritur në kualifikueset e Euro 2024.
Në përfundim të ndeshjes, ai komentoi sfidën kundër Shqipërisë, ndërsa e pranoi se ndihet i lehtësuar me tri pikët e marra. Por ai kërkoi nga tifozët që të jenë të duruar, pasi në kombëtare ka ardhur trajneri i ri, e po ashtu janë afruar emra të rinj.
‘Shqipëria luajti shumë mirë në mbrojtje, sidomos në pjesën e parë, kur nuk u përpoq që të na sulmonte. Mendoj se sa më shumë lojtarë të hyjnë në zonën e penalltisë, aq më e madhe është mundësia për pasuar topin. Kjo gjë është ajo që na ndihmon. Por mendoj se koha do të ecë në favorin tonë’, u shpreh Lewandowski.
Në sfidën tjetër të Grupit E, Moldavia barazoi me Republikën Çeke. Sulmuesi i Barcelonës mendon se në vazhdim, sfidat do të jenë mjaft të vështira.
‘Mendoj se kur të luajmë në transfertë, nuk do ta kemi aspak të lehtë. Duhet që të shënojmë dhe të fitojmë. Sfida ndaj Shqipërisë do të na shërbejë shumë që ta analizojmë. Mendoj se ne duhet që të jemi më të saktë përpara portës’, tha kapiteni i Polonisë.
Grupi E kryesohet nga Republika Çeke me 4 pikë, pastaj Polonia me 3, Moldavia me 2, Ishujt Faroe me 1 dhe në fund Shqipëria me 0 pikë.