“El Clasico” i tretë i këtij sezoni i takon Barcelonës, që fitoi ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve të Kupës së Mbretit me rezultatin 1-0. Vendasit u treguan të rrezikshëm që në nisje, me Luka Modric që iu afrua golit.
Presioni i madh i Realit solli golin e Benzemas që u anulua për pozicion jashtë loje. Katalanasit rrezikuan pak, ndërkohë që vuajtën nga sulmet e “Los Blankos”.
Por në aksionin e parë në minutën e 25’, erdhi goli i vetëm i takimit, me Militao që e futi topin në portën e vet, pas gjuajtjes së Franck Kessie, që u akordua nga sistemi VAR.
Në vazhdim, blaugranët u mbrojtën mirë, madje në minutën e 71’, iu afruan golit sërish me Franck Kessie. Në fund, Rodrigo pati një rast për të barazuar.
Por Barcelona doli nga “Bernabeu” si fitimtare, edhe pse nuk kishte në fushë Pedri, Dembele dhe Robert Lewandowski. Takimi i kthimit do të luhet më 5 prill në “Camp Nou”.