Ish kryeministri Sali Berisha ka bërë një deklaratë të fortë ku është shprehur se përveç kryeministrit Edi Rama në hetim për dosjen e McGonigal janë të gjithë ministrat. Nga Foltorja e Kuvendit, Berisha tha se për këtë që thotë nuk ka prova konkrete, por është besim plotë sepse sipas tij është e pamundur që ata të mos jenë përfshirë në këtë aferë kriminale.
“Shqiptarët e panë se këtu pak kohë më parë pikërisht personi që i lëshoi karrigen McGonigalit, foli si një kufomë e pakallur. Foli kështu dhe iku si hije sepse ka kryer krime shumë të rënda. Sepse siç thotë Uashington Post që ai në një dalje televizive e quajti gazetën më serioze, McGonigal dhe Edi Rama janë të zhytur deri në grykë në veprimtari sekrete. Unë nuk kam fakte të zbërthej të gjithë veprimtarinë e tyre sekrete por kam besim të plotë se kjo gazetë ka informacion të plotë mbi llumin McGonigalit dhe Edvin Gonigalit. Doli këtu dhe mendoi se duke lexuar aktakuzën do mund të mashtronte shqiptarët. Unë dua t’i informoj shqiptarët se ka dy dokumente zyrtare të SHBA-ve, njëri daton në shtatorin e vitit që kaloi. Ai është një vendim gjykate për të hetuar çdo gjë rreth Edi Ramës, çdo sms, çdo komunikim që ka patur me cilindo në botë. Por ky urdhër, u përfshin të gjithëve juve, të hetohen të gjithë ministrat e qeverisë dhe çdo njeri. Pra jeni të gjithë të hetuar. Të gjithë jeni nën hetim, sepse është e pamundur që mos jeni përfshirë në afera kriminale”-tha Berisha.
Ish kryeministri thekson se ngritja e një komisioni hetimor është urgjente.
“Krijimi i komisionit hetimor është themelor. Ka kryer veprimtari kriminale. Duhet hetuar gjerësisht veprimtaria e tyre në Tiranë”, shtoi Berisha.
Prej orës 10:00 në Kuvend po zhvillohet mocioni me debat ku në fokus ka lidhjen e kryeministrit Edi Rama me ish zyrtarin e lartë të FBI, Charles McGonigal. Opozita e akuzon se kryeministri është në hetim nga drejtësia amerikane, mirëpo qeveria i ka mohuar të gjitha akuzat.