Nga Foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama duket se ka paralajmëruar se një tjetër person në radhët e opozitës do të shpallet ‘Non Grata’.
Ndonëse nuk e ka thënë hapur, kreu i qeverisë ka zgjedhur që të flasë me krahasime, duke thënë se “po përgatitet” tava për dikë tjetër. Se cili është ai, nuk dihet ende.
“Ju presim më 14 maj për të na mundur siç na keni mundur gjatë këtyre 9 viteve. Deri atëerë, kujdes se byrektorja vijon punën, gjiza ka arritur dhe hokllaia po ushtron brumin tjetër për tavën që pret të hyjë në furrën e rindezur. Personin në fjalë do e shihni vetë”, tha Rama.
Kujtojmë që edhe në rastin e Berishës, Rama e ka paralajmëruar në Kuvend. Ai e ka pyetur aso kohe Berishës “nëse e kalonte oqeanin”, e ndërsa pak kohë më pas, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se kishin futur në “listën e zezë” ish kryeministrin për korrupsion të lartë dhe minim të demokracisë.