Çfarë na bën të lumtur? Të rrish me miqtë, të bësh një shëtitje në det, lista është ndryshe për të gjithë. Por, çfarë na thotë shkenca për gjërat që bëjnë njerëzit e lumtur?
Lowri Dowthwaite-Walsh është lektore e psikologjisë në Universitetin e Central Lancashire me një interes të veçantë në shkencën e lumturisë. Në një artikull në The Conversation ajo liston gjithçka që ka mësuar nga eksplorimi i temës së lumturisë në vitet e fundit, duke përfunduar me mesazhin optimist se të gjithë mund të përmirësojmë nivelet e lumturisë me praktikën e përditshme. Çfarë mund të bëjmë për ta arritur këtë?
Lëvizja në trup
Një palëvizshmëri e zgjatur nuk e ndihmon mirëqenien. Ne duhet të lëvizim çdo ditë edhe me një shëtitje prej një ore në ditë. Noti, kërcimi dhe joga janë gjithashtu opsione ideale.
Kërkimet për lumturinë zbulojnë se dobitë e fizkulturës janë më të mëdha kur intensiteti është i moderuar duke rritur rrahjet e zemrës.
Përparësia në marrëdhëniet
Studimi më i fundit i lumturisë zbulon se ndërveprimet shoqërore janë të rëndësishme për mirëqenien e përgjithshme dhe kënaqësinë e jetës.
Nga ana tjetër, duket se u drejtohemi miqve dhe të afërmve sidomos kur jemi të pakënaqur në kërkim të ngushëllimit. Kjo mund të jetë sepse priremi të kërkojmë mbështetje për t’u ndier më të lumtur, ndërsa kur ndihemi të lumtur hapim sytë jashtë mjedisit.
Sekreti është ekuilibri. Kur kalojmë shumë kohë vetëm, fillojnë të shfaqen ndjenja negative, kështu që të shoqërohesh me të tjerët është një mënyrë e natyrshme për të përmirësuar humorin.
Mirënjohje
Edhe pse mund të na duket një këshillë jo-funksionale, Lowri Dowthwaite-Walsh argumenton se ne duhet të praktikojmë dhe të shprehim mirënjohjen tonë për atë që kemi.
Ajo na kujton që kërkimet dokumentojnë se një gjendje shpirtërore pozitive dhe një pamje optimiste janë një pengesë në emocionet negative dhe rritin lumturinë.
Një truk i thjeshtë që ajo rekomandon është të shkruajë çdo natë tri gjëra që shkuan mirë gjatë ditës.
Ecni qenin
Ata që kanë një qen e dinë mirë se në këtë mënyrë nuk mund t’i shmangin shëtitjet. Qenushët na motivojnë të jemi më aktivë dhe energjikë.
Veç kësaj, kërkimet zbulojnë se kafshët shtëpiake pakësojnë rastet e depresionit dhe të ankthit dhe ndihmojnë për të rritur lumturinë dhe vlerësimin për veten.
Si përfundim, kontaktet shoqërore dhe aktiviteti – fizik dhe shpirtëror – janë përbërësit bazë të lumturisë.