Bilanci i viktimave nga tërmeti është rritur. Deri më tani janë konfirmuar 5 mijë viktima në Turqi dhe në Siri. Numri është i përkohshëm për shkak se kërkimet vijojnë sërish, pasi është raportuar për persona të tjerë nën rrënoja. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë një parashikim të frikshëm për shkak se thotë se numri i viktimave mund të shkojë më shumë se 20 mijë persona. Deri më tani 8000 persona janë shpëtuar. E ndërsa në këtë situatë të tmerrshme ka pasur edhe nga ato që e kanë shfrytëzuar. 4 persona kanë rënë në pranga pasi kanë përdorur rrjetet sociale për të përhapur panik.
Në ditën e sotme është regjistruar një tjetër lëkundje e magnitudë 5.7. Lëkundja është ndjerë në Turqinë lindore. Kjo u raportua nga Qendra Sizmologjike Evropiane e Mesdheut (EMSC) duke theksuar se epiqendra u regjistrua në një thellësi prej 46 kilometrash, në një kohë që në total janë regjistruar 243 pasgoditje.
Numri i viktimave pritet të jetë më i madh pasi 5700 ndërtesa janë shkatërruar. Në total në terren janë 13,000 vullnetarë që po ndihmojnë në gjetjen e personave nën rrënoja.
Bashkimi Evropian ka mobilizuar ekipet e kërkim-shpëtimit për të ndihmuar Turqinë, ndërsa sistemi satelitor Koperniku është aktivizuar për të ofruar shërbime të hartografisë së emergjencës. Së paku 13 vende anëtare kanë ofruar ndihmë ndërsa BE thotë se është gati të ofrojë ndihmë për Sirinë nëpërmjet programeve të saj të ndihmës humanitare.
– Shtetet e Bashkuara po koordinojnë ndihmën e menjëhershme të aleatit të tyre turk në NATO, duke dërguar ekipe kërkimi dhe shpëtimi me qen të trajnuar për shpëtim, zjarrfikës, inxhinierë, ndërsa organizatat humanitare të mbështetura nga SHTETET po përgjigjen ndaj emergjencës në Siri.
– Ekipet e shpëtimit po mbërrijnë në Siri nga Rusia. Në zonat ku Moska është ushtarakisht e pranishme, 10 njësi janë tashmë aktive për rreth 300 njerëz që punojnë në rrënoja në kërkim të të mbijetuarve. Rusët kanë ngritur gjithashtu pika shpërndarëse dhe ndihmë humanitare. Rusia ofroi gjithashtu ndihmën e saj për Turqinë, e cila pranoi.
– Duke lënë mënjanë rivalitetet dhe tensionet, ushtria izraelite po dërgon ekipe kërkimi dhe shpëtimi në Turqi, rreth 150 vetë duke përfshirë inxhinierë, personel mjekësor dhe specialistë të llojeve të ndryshme. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se kishte pranuar kërkesën për ndihmë nga Siria, të marrë nëpërmjet kanaleve zyrtare diplomatike (të dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike).
Greqia, rivalja historike rajonale e Turqisë, po dërgon një ekip prej 21 vetësh, dy qen shpëtimi dhe një mjet të posaçëm kërkimi e shpëtimi.
– Gjermania, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, po koordinon ndihmat me partnerët evropianë dhe po përgatit dërgimin e gjeneratorëve, tendave, batanijeve dhe pajisjeve të trajtimit të ujit. Berlini i ka ofruar gjithashtu Ankarasë ndihmën e ekipeve të mbrojtjes civile të saj. Organizata ndërkombëtare Search and Rescue Germany po ngre një mision të përbërë nga mjekë dhe ekipe shpëtimi.
– 76 specialistë të kërkimit dhe shpëtimit po mbërrijnë në Turqi nga Mbretëria e Bashkuar, së bashku me personelin mjekësor të specializuar në emergjenca. MB është në kontakt me OKB për ndihmë ndaj Sirisë.
Midis vendeve që marrin pjesë në operacionin e madh në mbështetje të Turqisë dhe Sirisë janë gjithashtu Shqipëria, Libani, Jordania, Egjipti, Zvicra, Republika Çeke, Japonia, Meksika, Austria, Spanja, Franca, Polonia, Rumania, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Moldavia. Dhe Italia: Mbrojtja Civile ka dërguar ekipe zjarrfikësish, ndërsa aviacioni ushtarak siguron transportin në zonat e prekura nga ndërhyrja e personelit mjekësor dhe pajisjeve.