Barcelona përfitoi plotësisht nga humbja 1-0 e Real Madrid, për të nisur kështu arratinë në krye të La Ligës spanjolle. Katalanasit nuk toleruan aspak përballë Sevilla, duke triumfuar me shifrat 3-0 në një duel të dominuar totalisht prej tyre. Fitore e vulosur në pjesën e dytë të sfidës, në harkun e 21 minutave. Aktivizimi i Franck Kessie solli frymë të re në mesin e fushës, me mesfushorin që dhuroi asistin tek goli i parë, me autor Jordi Alba në minutën e 58-të. Ndërkaq, emrin në listën e golashënuesve e shënoi edhe talenti Gavi, që realizoi për herë të parë këtë sezon të kampionatit. Llogaritë i mbylli Raphinha me golin e 3-0. Braziliani është përfshirë në më shumë gola se çdo lojtar tjetër i La Ligës në këtë vit 2023, ku ka shënuar 4 gola dhe 4 asistime në të gjithë garat.
“Guxuam për të sulmuar dhe ia dolëm. Krijuam shumë raste dhe arritëm që të realizonim gola për të marrë fitoren. Raphinha tregoi edhe njëherë se është lojtar i jashtëzakonshëm. Më duhet ta veçoj pasi ishte shumë intensiv në lojë, sulmoi hapësira dhe krijoi gjëra vendimtare në repartin e sulmit”, u shpreh trajneri i Barcelonës Xavi Hernandez.
Fitorja zgjeron serinë e fitoreve të Barcelonës në 14 ndeshje pa humbje në të gjithë garat. Ndërkaq, distanca me Real Madrid ndjekës tashmë thellohet në 8 pikë, epërsi e konsiderueshme, pavarësisht se deri në fund të kampionatit kanë mbetur për tu luajtur edhe 18 sfida.