Myrto Uzuni konfirmon formën e mirë sezonale. Sulmuesi beratas ishte sërish vendimtar për skuadrën e Granadës, teksa shënoi në fitoren 2-0 që ekipi i tij mori në transfertë ndaj ekipit të dytë të Villarreal. Lojtari kuqezi vulosi triumfin e Granadës me një gol fenomenal nga jashtë zonës. Uzuni përfitoi nga një pakujdesi në prapavijë dhe me një të djathtë të hidhur depozitoi topin në fundin e rrjetës.
Goli i 15-të sezonal për sulmuesin, që dërgon të tjerë sinjale nga Spanja për trajnerin e kombëtares shqiptare, Sylvinho. 27-vjeçari është lojtari më rezultativ në nivelin e dytë të futbollit spanjoll, teksa udhëheq garën për golashënues në La Ligën 2. Shifra të frikshme për ish-lojtarin e Laçit dhe Lokomotivës së Zagrebit, që përmirëson ende rekordin prej 12 golash të shënuar me fanellën e Ferencvarosi. Me këtë 3 pikësh, Granada qëndron në zonën e ngjitjes në elitë, momentalisht në pozicionet play-off.