Real Madridi mundi Valencian në takimin e javës së 19-të La Liga-s dhe e çon diferencën me Barcelonën kryesuese në 5 pikë. Pavarësisht përpjekjeve të të dyja ekipeve, emocioni i parë erdhi në shtesën e pjesës së parë.
Rudiger mendoi se kishte zhbllokuar sfidën, por goli i tij u anulua nga sistemi VAR për shkak të faullit të Benzema ndaj mbrojtësit Musah. Por “galaktikët” kaluan në avantazh në minutën e 52 me golin e Marko Asensios.
120 sekonda më pas, Vinicius realizoi golin e dytë për vendasit, duke e festuar në mënyrën më të mirë të mundshme sfidën e tij të 200 me Realin.
Në të 60, Benzema shqetësoi tifozët pasi doli nga fusha e lojës duke çaluar për shkak të një problemi në kofshë. Por trajneri Carlo Ancelotti i qetësoi tifozët pas takimit, duke thënë se ishte një lëndim i lehtë, por të tilla gjëra ndodhin kur luan çdo tre ditë, e nuk ke kohë të rikuperohesh.
Për Realin u bë më e thjeshtë pas minutës së 72, pasi Gabriel Paulista u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të gabuar ndaj Vinicius.
“Galaktikët” shkojnë në kuotën e 45 pikëve, ndërsa Valencia ngelet në vend të 14 me 20 pikë.