Juventusi është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë pas fitores minimale ndaj Lazios. Sfidës në stadiumin “Allianz” i munguan shkëndijat, por bardhezinjtë arritën që të menaxhonin avantazhin dhe të siguronin kualifikimin.
Pas humbjes në kampionat ndaj Monzës, “Zonja e Vjetër” u tregua e kujdesshme në mbrojtje. Juventus gjeti golin në fund të pjesës së parë pasi iu afrua me Kostic dhe Rabiot.
Portieri i bardhekaltërve Maximiano gabon në dalje dhe nga kjo përfiton Bremer që me kokë shënoi golin që vendosi ndeshjen.
Lazio tentoi që të reagonte me Marusic e pastaj me Milinkovic-Savic, por bardhezinjtë ruajtën rezultatin pa shumë problem. Kupa e Italisë do të dhurojë një gjysmëfinale luksi midis “Zonjës së Vjetër” dhe Interit, që u përballën në finale sezonin e shkuar.