Pas seancës plenare ku mungoi për shkak të përjashtimit, Sali Berisha mblodhi në seli deputetët që e mbështesin. Ai kërkoi përgatitje për rezistencë në parlament, ndërsa tha se Ramën do ta rrëzojë me protestë.
“Kulmin e zi e ka akti i Edi Ramës, i cili nga zyra e tij ka dërguar informacion McGonigal për të hetuar lobistin e PD. Këtë informacion ia ka dorëzuar më datën 4 dhe 16 janar të vitit 2018 Agron Neza të ngarkuarit e FBI për të ngarkuar çështjen të ngarkuarit nga McGonigal.
pKurse Dorian Duçka ka çuar me fluturime të paguara dhe çdo shpenzim dëshmitarët nga Tirana për të dëshmuar për Nik Muzinën dhe këtë aferë në Uashington. Edi Rams po përpiqet ta kalojë me një grip diplomatik. Herë del dhe nuk del. Tani ne jemi këtu.
Së pari, parlamenti nuk mund të ketë në mënyrë absolute, asnjë minutë punë normale përveçse debatit, mocionit me debat ndaj Edi Ramës. Ky është si parlament, dhe duhet të pregatitemi për rezistencë të fuqishme në parlament.
Ne nuk mund të pranojmë një kryetar qeveri, një kryeministër si Edi Rama, nuk e pranojmë ne atë. Të vijë aty, t’ja tregojmë fytyrën siç e ka përpara të gjithë shqiptarëve. Të vijë dhe aty, dhe të hapë debatin për këtë aferë të tmerrshme, ku gjer në vesh janë zhytur Taulant Balla, Damian Gjiknuri, zëdhënës ndër më besnikët të interesave ruse në Shqipëri”, tha Berisha.
Ndërkohë, çështja e McGonigal duket se ka bashkuar opozitën. Kjo sepse deputetët e të dyja kaheve kanë kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor që do të verifikojë kontaktet dhe marrëdhëniet e kryeministrit Edi Rama me ish agjentin special të FBI-së, Charles Mcgonigal.
Në kërkesë thuhet se Komisioni hetimor do të verifikojë edhe “nxitjen, ndikimin, porositjen, përdorimin, përfshirjen përmes premtimit dhe ofrimit të favoreve, rryshfetit apo pasurive publike ndaj agjentit special të FBI-së Charles McGonigal dhe ose agjentë të tjerë të përfshirë për përfitime politike të kryeministrit Edi Rama dhe goditjen apo dëmtimin politik të opozitës shqiptare”.