Marcelo Bielsa i mbyll derën Evertonit. 67-vjeçari ka kryer bisedime kokë më kokë me drejtuesit, gjithsesi nuk është bindur për të marrë përgjegjësitë e skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit. Rezultatet negative në javët e fundit duket se kanë qenë ata që e kanë shtyrë argjentinasin për të refuzuar ofertën e skuadrës që mban vendin e parafundit në renditjen e Premier League. Sipas asaj që raportojnë mediat britanike, Bielsa e ka refuzuar marrjen e stolit të Everton në këto momente.
Megjithatë, ai ka lënë gjithçka të hapur për ta pranuar në korrik, kur edhe mbyllet sezoni, gjithmonë nëse Everton shpëton sezonin dhe nuk bie një kategori më poshtë. Me refuzimin e Bielsa, drejtuesit e Everton kanë hedhur sytë nga një tjetër pistë. Ai që bind në këtë moment si pasues i Frank Lampard është ish-trajneri i Burnley, Sean Dyche. 51-vjeçari është pa kontratë dhe do të ishte një zgjedhje e mirë nga ana e drejtuesve. Por pavarësisht kësaj, Dyche pretendon shumë, pasi pritet të kërkojë një kontratë afatgjate për të marrë drejtimin e skuadrës.