Ndaj një ish-zyrtari të lartë të kundërzbulimit në FBI janë ngritur akuza për shkak se ndihmoi një oligark rus, në shkelje të sanksioneve amerikane. Gjithashtu, ndaj tij janë ngritur akuza të tjera në kuadrin e një procesi tjetër hetimor, për shkak se mori para të thata nga një ish-oficer i shërbimeve të sigurisë të një vendi tjetër, që mendohet se është nga Shqipëria.
Charles McGonigal, agjenti special që drejtonte divizionin e kundërzbulimit në Nju Jork gjatë periudhës 2016-2018, akuzohet se bashkëpunoi me një ish-diplomat sovjetik, që tashmë punonte si përkthyes për miliaderin rus Oleg Deripaska. McGonigal, akuzohet se punoi për të hequr sanksionet ndaj tij në vitin 2019 dhe se mori para prej tij në vitin 2021 për të hetuar një oligark rival.
Gjithashtu, ish zyrtari i lartë i FBI-së, Charles McGonial akuzohet se mori edhe 225 mijë euro ryshfet nga një ish zyrtar i inteligjencës shqiptare në vitin 2017 para se të dilte në pension në këmbim të promovimit të interesave të biznesit të ish-agjentit shqiptar, i cili ka marrë shtetësinë amerikane dhe jeton në Nju Xhersi. Emri i këtij biznesmeni nuk dihet, mirëpo kjo ka sjellë akuza nga opozita që e lidh me kryeministrin Edi Rama.
“Në vorbullën e stuhisë së krijuar nga Mc Gonigal, gjendet kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ish zyrtari i lartë i qeverisë së tij, që paraqitet si këshilltar, një super mafioz me lidhje ndër më të dyshimtat që quhet Dorian Duçka. Dhe i dyti, bashkëpunëtor i ngushtë i Ramës, ish oficer i policisë sekrete hoxhiste, Agron Neza”, tha Berisha.
“Rama ka raportin më të pasinqertë me SHBA-të. Asnjëherë nuk ka qenë raport vlerash, por raport aferash, raport korrupsioni dhe instrumentalizimi i këtyre marrëdhënieve për helmimin e miqësisë. Ka përdorur zyrtarët amerikanë për qëllimet e luftës së brendshme politike”, tha Meta.
Një gjë e tillë, solli edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili tha se një akuzë e tillë është e pavërtetë.
“Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve!
Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur.
Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë”, tha Rama.