21 janari është rikthyer sërish në vëmendje të PD-PS, nisur edhe nga fakti që së fundi është publikuar në media një pjesë të një bisede që pretendohet se është shkëputur nga komunikimi që kanë pasur gardistët me njëri-tjetrin në 21 janar 2011 ku thuhej se kishin marrë urdhër që të qëllonin. Një gjë e tillë për Sali Berishës, aso kohe kryeministër, nuk është aspak e vërtetë dhe gishtin e drejton nga Ardi Veliu, drejtues i Agjensisë që Mbikëqyrjes Policore (Ish-SHCBA). Berisha thotë se kjo është një manipulim i Ardi Veliut, të cilin e refuzon që ta komentojë.
Që unë të komentoj manipulimet e Ardi Veliut harroje. I takon mediave të thonë të vërtetën e këtij manipulimi. Nuk mund të komentoj unë disa tabela shkrimi qe paraqiten si audio-përgjime e që s’u paraqit askund audio. Është manipulim dhe falsifikim, njëlloj si shiriti i 21 janarit ku u tha se Sali Berisha ishte i implikuar në problemin e hidrocentralit. 21 janari përbën një nga ngjarjet më tragjike, përpjekje për marrjen e pushtetit me dhunë nga ata që unë i kam denoncuar me kohë. Komuniteti ndërkombëtar ka insistuar që të hetohet organizatorët e dhunës. Edi Rama është organizator, nuk gjeti kurrë kurajo të paraqitej në prokurori ndonëse u thirr për të dëshmuar, do ta ndjekë gjithë jetën përgjegjësia penale për organizimin e asaj dhune. Është i faktuar organizator në mënyrën më të pa kundërshtuar, pjesa e gardistëve është hetuar nga një kundërshtare e egër e Sali Berishës, me një prani të rëndësishme ndërkombëtare dhe janë dhënë dënimet e njohura gjer tani, por meqenëse shërbehet me krijime të Ardi Veliut i them lëri ato, hajde hiq imunitetin, se unë s’kam, dhe shko dëshmo për organizimin e puçit. I solli si mish për top, natyrisht ngjarja është tragjike, atëherë dhe sot kanë ngushëllimet e mia, por manipulimi që bëri Edi Rama për t’i përdorur si mish për top, është makabër”, tha Berisha.
Ndërkohë në ndryshim nga Berisha, Partia Socialiste ka bërë me dije ditën e sotme do të depozitojë në SPAK një kallëzim të ri për 21 janarin. Kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla pas mbledhjes së grupit tha se kallëzimi do të dorëzohet brenda kësaj jave dhe se kanë në dorë prova të reja, referuar audio-përgjimit. Balla i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që ta rihapë këtë çështje.
Çfarë thuhet në audio-përgjim?
Prej ditës së premte në disa media, kryesisht sociale, qarkullon transkriptim i një dialogu të zhvilluar më 21 janar 2011 nëpërmjet radiove, mes komandantit të Gardës të asaj kohe, Ndrea Prendi dhe disa oficerëve. Pretendohet se bëhet fjalë për një audio-përgjim, por që në fakt është një tekst pa audio. Sipas audiopërgjimit, Ndre Prendi dëgjohet teksa thotë “duhet të hapim zjarr”.