Të gjithë e njohin Bertin, por shumë pak dinë për të! E dinë që është minator, banor i Bulqizës, njeri me të cilin jeta nuk është treguar dhe shumë bujare! “Është Berti, nga komuniteti rom, që ka një djalë i cili punon duke mbledhur kanoçe”…e dëgjuam më shumë se një herë këtë përgjigje nga banorët e zonës, por askush nuk na jepte një vendndodhje të saktë se ku ai jetonte. Bulqiza është një vend i vogël dhe rrjedhimisht historia e tij ishte e njohur për qytetin, por pa shumë detaje. Kjo sepse i tillë është Berti, një burrë që urren të flasë për veten.
3 vite më parë, në 2017, një gur i rëndë i ndryshoi jetën krejtësisht! Po punonte në minierë, dita e parë e punës një kompani, që as emrin nuk ia përmend! Mjaftohej duke thënë thjesht “firma ku unë punoja”. Ishte i pasiguruar, fatkeqësisht si shumë minatorë të tjerë. Puna nisi si zakonisht mëngjesin e 3 prillit, me të njëjtin intensitet dhe përkushtim. Ndodhej lart në stok, vendi ku mblidhet kromi. Një gur u shkëput duke i thyer këmbën e djathtë dhe e gjithë jeta e tij, por edhe e familjes mori një tjetër rrjedhë.
Sot tre vite pas atij aksidenti, trokasim në shtëpinë e tij. Nëpër rrugët e ngushta të Qytetit të Vjetër të Bulqizës, diku larg qendrës zbuluam se jetonte ai, Bert Asllani të cilin po kërkonim. Në një shtëpi përdhese, jo shumë karakteristike për zonën, banon babai i katër fëmijëve, i një vajze dhe tre djemve. Nuk ishte e nevojshme për të trokitur, sepse dera ishte e hapur, kishte vetëm një perde nga ato që mbajnë zakonisht zonjat meraklie të fshatit që mos lejojnë mizat të futen brenda. Bashkëshortja e Bertit më priti me ‘këmbët e para’ duke na e prerë shkurt se ‘burri i saj nuk ndodhej në shtëpi’, e aq më tepër nuk donin të flisnin për aksidentin e tij. Dukej sikur kishin një inat se përse ai aksident kishte ndodhur pikërisht në familjen e tyre dhe këtë e kishin të vështirë për ta pranuar, prandaj, kishin zgjedhur që “ta harronin”. Pas këmbëve të gruas fshiheshin dy fëmijë të vegjël të cilët na buzëqeshnin sikur të ishim njerëzit e parë që iu shfaqeshim në derë. Berti erdhi vetëm disa minuta pasi kishim mbërritur në shtëpinë e tij. 40-vjeçari kishte veshur një triko të zezë dhe pantallona ngjyrë bezhë, një burrë i gjatë, ezmer i cili kishte vështirësi në të ecur.
Në qytetet e vogla karakteristikë është mikpritja, por nuk ishte ky rasti! Edhe pse gjendeshim në shtëpinë e tij, Berti na foli shumë ftohtë. “Si jeni” dhe u fut menjëherë brenda. Pas tij, e ndoqi dhe gruaja dhe pas dy minutash, na ftojnë të futemi në shtëpi. Si duket, gruaja i tregoi qëllimin për të cilin u kishim trokitur.
Shtëpia përdhese kishte dy dhoma, një sallon të gjatë dhe një tualet. Hymë në dhomën e ndenjes e cila ishte e mobiluar këndshëm dhe me ngjyra të cilat kombinoheshin në mënyrë harmonike me njëra-tjetrën. Prezenca jonë si duket ishte e bezdisshme për Bertin, i cili hyri direkt në temë. Gjithçka ka përjetuar në ato momente, 40-vjeçari i përshkruan me pak fjali…
‘Jam aksidentuar më 3 prill të 2017. Ishte dita ime e parë që punoja në një vend pune tjetër, ishte pronar tjetër nga aty ku kisha punuar zakonisht. Ndodhesha lart në stok. Krejt papritur më ra një gurë i madh në këmbë. Nuk e di nëse ra vet apo e shtynë, sepse sipër kishte punëtorë të tjerë të cilët po punonin. Nga pesha e madhe, guri më theu këmbën e djathtë’, rrëfen Berti.
Babai i katër fëmijëve ka punuar për më shumë se 6 vite në minierë, me rregulla dhe i siguruar. Në ditën e tij të parë të punës në të zezë ndodhi aksidenti që e la me pasoja të rënda. Por, përtej aksidentit, ai është i zemëruar edhe me faktin se është ndjerë i braktisur, i diskriminuar për shkak se i përket komunitetit rom.
‘Më shumë se dhimbja që kam ndjerë dhe vështirësitë që kam kaluar, më vret fakti që askush nuk u kujdes për mua. Bëjnë sikur jam nga një planet tjetër. Në çdo vend që kam shkuar kam ndjerë diskriminim”, tregon ai.
Berti ka kryer vetëm shkollën 8-vjeçare pasi nuk kishte mundësi ekonomike për më shumë. Ka mbetur jetim në një moshë shumë të re dhe pas vdekjes së babait ai jetoi me gjyshërit pasi nëna u martua sërish. Kur e pyesim se përse nuk do të flasë për atë moment, ai thotë se kjo nuk do të ndryshojë asgjë në jetën e tij, por ama zhgënjimin që ka e reflekton në fytyrë, por edhe në fjalët që thotë. Nuk flet për aksidentin, por për ato që ndodhën më pas.
‘Nuk dua as të flas fare për atë që kam kaluar se e di që asgjë nuk do të rregullohet dhe e fundit gjë që dua është mëshira e njerëzve. Jam i zhgënjyer nga mjekët sepse pas aksidentit më çuan në spitalin e Burrelit dhe më bën një qepje në këmbë, mua më ishte thyer dhe e qepura nuk kishte asnjë kuptim”, shton 40-vjeçari.
Fati i tij i mirë, në gjithë këtë histori është përkrahja që ai pati nga pronari. Ai nuk e hodhi poshtë edhe pse punonte i pasiguruar. Të gjitha shpenzimet e spitalit u morën përsipër nga kompania ku kishte vetëm një ditë që punonte. Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dhe për këtë këmbëngul që fajtorë janë bluzat e bardha. Edhe pse nuk dinte shumë nga mjekësia, për të, ishte absurde se si një këmbë e thyer të mund të rregullohej vetëm me një qepje. Për shkak se nuk kishte asnjë përmirësim, ai u transportua në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Në këmbë i vendosën hekura dhe me këtë u bind se ndoshta mund edhe të përmirësohej.
Teksa biseda po merrte një rrjedhë më normale dhe prezenca jonë nuk ishte më aq e bezdisshme sa mendonim, zonja e Bertit na ofroi diçka për të pirë…atëherë ‘u rehatuam’ në karriget e drunjta ngjyrë kafe. Berti fillon dhe rrëfehet, pa pasur nevojë për ta pyetur, gjithmonë për pasojat dhe jo për atë moment që mund të kishte përfunduar tragjikisht.
‘Pas aksidentit kërkova që t’më lidhnin një asistencë ose t’më nxirrnin në kemp, por duke qenë se aksidenti ndodhi gjatë kohës që isha në të zezë, fatkeqësisht nuk më takonte asgjë. Rregullat e punës thonë që duhet të kesh të paktën 3 muaj i siguruar në një vend që të marrësh raporte ose të kërkosh kemp”, vijon ai.
I gjendur përballë këtij fakti kokëfortë, por dhe përpara përgjegjësisë së madhe si kryefamiljar, sot ai vijon të punojë, duhet të sforcohet, të bëjë atë që shumëkush e mendon pothuajse të pamundur. Ai u rikthye sërish nëntokës, 6 ditë pasi la ambientet e spitalit. Megjithatë, nga ai moment i 3 prillit ka nxjerrë një mësim.
‘6 ditë pasi kam dalë nga spitali kam hyrë në galeri por jo më në të zezë, sepse e pësova njëherë. Nëse më ndodh ndonjë aksident tjetër, të paktën e di që dikush do t’mi paguajë shpenzimet ose rasti më i keq i mundshëm, funeralin do e kem të paguar nga kompania”, tregon ai.
Qëllimin që ka nga nëntoka e ka të qartë, të sigurojë bukën e fëmijëve, por edhe paratë e mjaftueshme për të hequr hekurin. Duhet t’i kishte hequr dy vite më parë, por pamundësia ekonomike nuk e ka lejuar.
‘Mjekët më thanë që hekurat duhet t’i mbaja 1 vit. Kanë kaluar 3 vite nga aksidenti dhe unë i kam hekurat në këmbë. Të ishin një cilësi e mirë s’do kishte asnjë problem, por mesa më kanë thënë janë hekura të cilat me kalimin e kohës ndryshken dhe mund të bëhen shkak që të më pritet edhe këmba nga infektimi”, tregon i brengosur babai i 4 fëmijëve, me frikën që i lexohet në fytyrë për atë se ç’ka mund të ketë rezervuar e ardhmja për të. I vetmi krah ku mund të mbështetet është djali i tij 14-vjeçar, që edhe pse në një moshë shumë të vogël, ndryshe nga moshatarët e tij që shijojnë adoleshencën, duhet të punojë për t’i siguruar familjes nevojat më bazike.
‘Djali 14-vjeçar menjëherë pas shkolle mbledh kanoçe për të blerë bukë. Do më duhen vite të punoj që të mbledh paratë për këmbën”, tregon Berti.
Në çdo fjalë të tij, kishte nga një psherëtimë mjerimi e cila është kaq e zakontë në këtë zonë, ku jeta dhe vdekja janë aq të ndërlidhura dhe pranë njëra- tjetrës më shumë se kudo, saqë ndonjëherë të duket sikur kanë krijuar një simbiozë. Këtë e reflekton edhe fraza me të cilën ai zgjedh të mbyll bisedën… “Më la Zoti gjallë për të parë vuajtje’. Era e bukës së pjekur në shtëpi ishte shenja që bisedës i kishte ardhur fundi dhe duhet të largoheshim, pasi kishte ardhur vakti i darkës./ Klara Murra