Manchester City përmbysi Tottenham në “Etihad Stadium” dhe tani është vetëm pesë pikë larg Arsenalit kryesues në renditjen e Premier Ligës.
Kur pjesa e parë u mbyll, u duk se “Spurs” po i bënin një favor të mardh rivalëve të tyre të Londrës Veriore, Arsenalit, pasi ishin në avantazh me 2 gola.
Në të 44’ Kulusevski shënoi golin e parë për ekipin e drejtuar nga Antonio Konte. Në shtesë, Emerson tronditi sërish vendasit që po shikonin se humbja e tretë radhazi ishte shumë pranë. Por në pjesën e dytë, “qytetarët” u zgjuan.
Në të 51’ Julian Alvarez shkurtoi disavantazhin. Dy minuta më pas, Haland barazoi rezultatin duke sjellë qetësinë në “Etihad Stadium”.
Tottenham iu afrua golit me Ivan Perisic, që goditi traversën, pasi topi u devijua nga Ljuis.
Por Mahrez i papërmbajtshëm në pjesën e dytë e ktheu rrjedhën e takimit. Algjeriani e kompletoi paraqitjen e tij brilante me golin e katërt në minutën e 90, duke vulosur fitoren. Kjo fitore nuk i shpëtoi futbollistët nga tërbimi i trajnerit Pep Guardiola, i cili i kritikoi sepse mendon se grupit i mungon zjarri pas vitesh të tëra me suksese.